GJERMANIA - Sekreti i suksesit

GJERMANIA - Sekreti i suksesit

Quelle: BBC News

Imagjinoni një vend, banorët e të cilit punojnë më pak orë se shumë të tjerë, forca punëtore e të cilit nuk është veçanërisht produktive dhe fëmijët e të cilit shpenzojnë më pak kohë në shkolla se shumica e fqinjëve të tij. Vështirë se kjo mund të jetë një recetë për sukses ekonomik, do të mendonit.

Por vendi i përshkruar më sipër nuk është askush tjetër, veç Gjermanisë, bërthama industriale e Evropës dhe vendi i dytë më i madh eksportues në botë; një vend ekonomia e të cilit ka ndalur e vetme eurozonën nga rënia në recesion dhe i vetmi vend që është aq i pasur sa të mundet të shpëtojë euron.
Nëse mendoni se vetëm holandezët punojnë më pak orë mes 34 vendeve anëtarë të OECD, që fëmijët gjermanë kalojnë 25% më pak kohë në klasat e shkollës se sa bashkëmoshatarët e tyre italianë, dhe se ka gjashtë ekonomi më produktive vetëm në Evropë, këto fakte tingëllojnë edhe më të mbresëlënës.
Atëherë, përse ekonomia gjermane është kaq e fuqishme, dhe çfarë mësimesh mund të nxjerrin të tjerët prej saj?
Duke u bashkuar me ekonomitë më të dobëta të Evropës jugore, Gjermania adoptoi një monedhë shumë më të dobët nga sa do të kish ndodhur në një rast tjetër – si një prej të paktëve vende të botës që kishte një tepricë buxhetore, Deutschmark-a do të kish qenë shumë më e fuqishme se sa euro. Kjo gjë ka sjellë një rritje të madhe të eksporteve gjermanë, të cilët për konsumatorët jashtë vendit janë më të lirë, pikërisht si rezultat i kësaj. Por kjo e shpjegon vetëm pjesërisht suksesin aktual ekonomik të Gjermanisë.
Po aq të rëndësishëm janë nivelet relativisht të ulët të borxhit privat. Ndërkohë që pjesa tjetër e Evropës u zhyt në kredi të lira gjatë viteve nëntëdhjetë dhe dymijë, kompanitë dhe individët gjermanë refuzuan që të shpenzojnë përtej mundësive të tyre.
Një arsye për këtë, thotë David Kohl, zëvendës kryeekonomist në bankën Julius Baer me qendër në Frankfurt, është se normat e interesit në Gjermani mbetën të qëndrueshme, ndryshe nga sa ndodhi në ekonomi të tjera të Evropës.
“Në Mbretërinë e Bashkuar, Itali, Spanjë dhe Portugali, për shembull, rritja e inflacioni solli ulje të normave të interesit, kështu që pati një shtytje shumë të madhe për të marrë hua”, thotë ai.
Por, dallimet kulturorë janë po kaq të rëndësishëm – e thënë thjeshtë, gjermanët nuk ndihen rehat me idenë e marrjes hua të parave dhe preferojnë të jetojnë brenda mundësive që kanë. “Në gjermanisht, fjala për huamarrje është “schulden”, e njëjta fjalë që përdoret edhe për “fajin”. Ka një lloj qasjeje që, nëse të duhet të marrësh borxh, atëherë diçka nuk shkon tek ti”, thotë Kohl.
Një gjë e tillë ka qenë veçanërisht dobiprurëse për Gjermaninë në vitet e fundit – ndryshe nga vendet e tjerë evropianë, konsumatorëve dhe bizneseve nuk iu desh të shkurtonin shpenzimet për të ulur nivelet e borxhit në kohën kur bankat pushuan së dhëni hua gjatë recesionit.

Reformat

Por ka edhe arsye të tjera më të thella prapa suksesit ekonomik të Gjermanisë në Evropë, madje edhe fakti i numrit të ulët të orëve të punës apo atyre në klasat e shkollës. Gjermania nisinjë program reformash themelore në tregun e punës në vitin 2003, të nxitura nga teprimet në rritjet e pagave pas bashkimit të dy Gjermanive. Legjislacioni i fortë në mbrojtje të punësimit, si dhe një masë besimi në emër të forcës punëtorë në kompanitë e mirë-kapitalizuara që nuk kishin marrë hua më shumë nga ç’duhet, bëri që qeveria socialdemokrate të shfrytëzonte lidhjet e saj të ngushta me sindikatat për të kërkuar një moderim të inflacionit të pagave.
Reformat hodhën themelet për një treg pune të qëndrueshëm dhe fleksibël. Ndërkohë që papunësia nëpër Evropë dhe SHBA pësoi rritje të madhe gjatë krizës ekonomike globale, numri i të papunëve në Gjermani thjeshtë u luhat pakëz. Punëtorët gjermanë ishin thjeshtë të gatshëm të punonin më pak orë, duke e ditur që për këtë arsye do të mund të mbanin punën që kishin. Ata ishin edhe më të gatshëm të vepronin kështu falë lidhjes më të fortë se sa në vendet e tjerë, që ekziston mes punëmarrësve dhe punëdhënësve.

“Ka një kulturë të pronarëve të bizneseve që njohin dhe shpërblejnë punën e punonjësve të tyre”, thotë Andreas Woergoetter, kreu i studimeve të shteteve në departamentin ekonomik të OECD. Nuk është habi pra, që gjermanët punojnë më pak orë se shumë të tjerë.
Më i rëndësishëm për forcën industriale të Gjermanisë është sistemi arsimor në vend. Shkolla përfundon në orën e drekës në pjesën më të madhe të Gjermanisë për shkak të asaj që Woergoetter e quan “preferencë shoqërore”, e menduar për t’u mundësuar fëmijëve të kalojnë më shumë kohë me familjet e tyre. Por, modeli gjerman spikat për sa i përket viteve të fundit të shkollimit. “Gjysma e të rinjve në fundin e shkollës së mesme janë në arsim profesional dhe gjysma e këtyre në stazh pune”. Stazhierët në moshën 15 dhe 16 vjeç kalojnë më shumë kohë në vendin e punës duke u trajnuar, se sa kalojnë në klasë, dhe pas 3 deri 4 vitesh e kanë pothuajse të garantuar një punë me kohë të plotë.
Dhe në Gjermani, arsimi profesional dhe kolegjet teknikë është më pak “turpërues” se sa në shumë vende. “Nuk konsiderohen një rrugë pa krye”, thotë Woergoetter. “Në disa shtete, drejtimi i kompanive bëhet nga ata që kanë përfunduar shkolla biznesi, por në Gjermani, nëse je ambicioz dhe i talentuar, mund të arrish në majë edhe të kompanive më të mëdha”.
Kështu që, sistemi arsimor i Gjermanisë ofron një rrip transmisioni për punëtorë të aftë për të plotësuar kërkesat specifike të bazës prodhuese të fuqishme të vendit, që i ka rrënjët në bizneset e vegjël e të qëndrueshëm familjarë, të cilët kanë qenë prej një kohe të gjatë shtylla e ekonomisë.

Mësime

Është e qartë se ka shumë për të mësuar nga modeli gjerman, por kopjimi i verbër i tij mund të mos jetë zgjidhja. Shumë ekonomi lakmojnë jo pa xhelozi suksesin ekonomik gjerman, sidomos ndërkohë që kërkesa për produktet e saj industrialë në tregjet në zhvillim si Kina vazhdon të ketë rritje. E megjithatë, jo shumë kohë më parë, rolet u përmbysën. “Dhjetë vjet më parë, ne në Gjermani shihnim potencialin më të madh të vlerës së shtuar që kishte sektori i shërbimeve në Mbretërinë e Bashkuar”, thotë Kohl. “Ka limite për vlerën e shtuar në prodhim. Nëse dëshiron të jesh i pasur e të ngjitesh në zinxhirin e vlerës, duhet të jesh në sektorin e shërbimeve”. Ndonëse sot duket se ka pak gjasa që të ndodhë, ndoshta një ditë Gjermania do të shohë edhe një herë nga të tjerët për të gjetur frymëzim.