Jashari: S’është kjo Kosova për të cilën u sakrifikuam

Murat Jashari

Quelle: Telegrafi

Në katërvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Murat Jashari ka pritur e përcjellë të gjithë ata që ia kanë mësyrë kullës së familjes së tij.

Teksa ka folur për 4 vitet e shtetësisë së Kosovës, ai nuk ka ngurruar të kritikojë klasën politike të vendit, së cilës, sipas tij “i janë konsumuar politikat dhe shterur kapacitetet”.

Në një intervistë për “Koha Ditore”, ai ka thënë se situata në të cilën gjenden sot qytetarët e Kosovës, i ngjanë fundit të viteve ’80 kur populli ishte lodhur aq shumë sa që zgjidhjen e gjente duke ikur nga vendi. Ai thotë se kjo është e dhimbshme, kur dihet se me mijëra qytetarë kanë dhënë jetën për pavarësinë e Kosovës.

“Pa dashur t’i ofendoj udhëheqësit tanë, mendoj se puna më e mirë e tyre do të ishte të përgatisin pasardhësit e tyre dhe kështu do të mbeteshin të vlerësuar nga populli për meritat që kanë pasur”, ka thënë ai.

Ndryshe, përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, mbrëmë ka bërë kritika të ashpra në adresë të institucioneve të Kosovës. Ai ka konfirmuar se kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, nuk hyjnë dot në Kullën e Jasharëve në Prekaz, për shkak të qëndrimeve kritike të familjes Jashari për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Ai ka kritikuar gjendjen në të cilën gjendet sidomos shëndetësia e Kosovës, duke thënë se njerëzit e duhur të në të gjithë sektorët nuk janë vendosur aty ku duhet.

Në pyetjen se a ka Kosova klasë politike, apo politikanë të ngelur në klasë, Murati tha se gjithsecili e ka kohën e vet.

“Mendoj se çdo njeri e ka kohen e vet dhe nuk do të them se këta njerëz nuk kanë bërë asgjë për vendin e tyre dhe nuk e duan Kosovën, por mendoj se janë konsumuar politikat e tyre, kapacitet e tyre janë shteruar", thot; Jashari, transmeton "Zëri".

"Nëse shikojmë shoqëritë demokratike, shohim se maksimumi në politikë arrihet dy mandate e jo më gjatë dhe përfundojnë karrierën e tyre. Në Kosovë janë të njëjtit njerëz dhe mendoj se më nuk kanë energji pozitive, nuk kanë imagjinatë për ta çuar vendin përpara”. /Telegrafi/