Pacientët kërkojnë shërim jashtë vendit

Quelle: Telegrafi.com


Pacientët nga Kosova shpenzojnë rreth 80 milionë euro brenda vitit, për trajtim jashtë vendit, thotë Avdyl Krasniqi, Kryetar i Komisionit për Shëndetësi nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Sipas tij, kjo është një humbje e madhe edhe në aspektin e ekonomisë.

“Kam qenë i sëmurë, as vetë s’e kemi ditë prej çka. Kam vuajtur dy vjet, deri sa e kam kuptuar që kanë qenë në pyetje veshkat. Pasi jam operuar, për 24 orë kam shkuar në shtëpi dhe nuk kam pasur asnjëherë problem. Tash as barna nuk përdori”, shprehet Gashi për Radio Evropa e Lirë.

Krasniqi pohon se shumat e mëdha që derdhen jashtë vendit për shërim janë një dështim për institucionet e vendit.

“Fatkeqësisht, shumica e pacientëve e kanë humbur besimin në shëndetësinë kosovare në përgjithësi”, thotë ai.

Dy milionë euro të ndara për programin e trajtimit të pacientëve për shërim jashtë vendit, nuk mjaftojnë për mbulimin e kërkesave të të gjithë atyre që kanë nevojë dhe që aplikojnë në Ministrinë e Shëndetësisë. Kërkesa nga Qeveria e Kosovës për të rritur fondet për këtë program, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, ka qenë e parealizueshme.

Në vitin që e lamë pas, sipas zyrtarëve të po kësaj ministrie, kanë aplikuar rreth 800 pacientë për trajtim jashtë vendit, derisa 290 prej tyre kanë përfituar nga ky fond. Fondi për trajtim ka qenë 2 milionë euro, aq sa është e dhe këtë vit.

Krasniqi thekson se Kosovës i mungon qartësimi i raporteve mes institucioneve shëndetësore publiko - private, ku edhe do të mund të derdheshin mjetet e qytetarëve brenda vendit. Ndërsa, Sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, vlerëson se ka qenë dekurajues bashkëpunimi mes partneritetit publiko-privat. Sipas tij, ky segment shihet si një potencial i pashfrytëzuar.

“Procedura për një ndërmarrje të tillë publiko-private është e kushtueshme në aspektin kohor. Kërkohet kohë që të përmbushet, meqenëse nuk varet vetëm nga Ministria e Shëndetësisë, por varet nga komisione ndërministrore ku edhe Ministria e Financave e ka rolin kyç”, bën të ditur Tolaj.

Sidoqoftë, marrëveshja mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve private shëndetësore është nënshkruar vitin e kaluar, dhe sipas punëtorëve shëndetësorë, kjo konsiderohej si një veprim i qëlluar.

Bekim Dula, kardiokirurg në njërin nga spitalet private në vend, ka thënë se me këtë marrëveshje është bërë një hap pozitiv në shëndetësinë kosovare, duke shtuar se për herë të parë në Kosovë pacienti nuk do të paguajë për shërbime të cilat i ofrojnë spitalet private, e as nuk do të kenë nevojë të udhëtojnë jashtë vendit. /Telegrafi/